Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si tërësi urbane-arkitektonike në aspektin hapësinor është vendosur në bërthamën e vjetër të qytetit dhe ka vlerë të veçantë kulturo-historike, shoqërore dhe ambientale. Ky kompleks është formuar me ndërtimin e Xhamisë së Gazi Mehmed Pashës, ku pastaj rreth saj janë ndërtuar edhe objekte tjera si ndërtesa e Lidhjes, medreseja, tyrbja, leximorja dhe objektet e banimit. Më 10 qershor 1878, është mbajtur Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e organizuar nga intelektualët shqiptarë të kohës. Më 1978 kompleksi shndërrohet në Muze të Lidhjes së Prizrenit. Gjatë luftës së fundit në vitin 1999 digjet tërësisht ndërtesa e rezidencës së Lidhjes e cila rindërtohet në qershor të vitit 2000.
Duke u përditësuar...
I themeluar në mes të shekullit XX, “Kino Lumbardhi” është ndër kinematë e vetme në Ballkan me sallë të mbyllur e të hapur. Për 70 vite ka qenë qendër e shfaqjeve të filmave, festivaleve dhe e aktiviteteve kulturore në qytetin e Prizrenit. Lumbardhi kishte një kapacitet prej mbi 1,200 ulësesh dhe pranonte mbi 300,000 vizitorë në vit për dekada të tëra. Me repertor të filmave jugosllav, western, indian e hollywoodian, kinemaja ka lidhur gjenerata të Prizrenasve me njëri-tjetrin dhe botën. Si një nga dy institucionet kulturore të qytetit, kinemaja ishte mikpritës i koncerteve, festivaleve dhe ngjarjeve të ndryshme shoqërore, përderisa nga viti 1986 ishte edhe nikoqir i Zambakut të Prizrenit. Pas luftës, kinemaja u identifikua me festivalin e filmit dokumentar dhe të shkurtër DokuFest që nisi më 2002 dhe dy iniciativat qytetare për mbrojtjen e saj nga privatizimi dhe rrënimi me 2007 dhe 2014. Prej vitit 2015, Kino Lumbardhi gëzon statusin e mbrojtjes si monument i trashëgimisë kulturore dhe funksionon si institucion i pavarur kulturor.
Hamami i Shemsedin Ahmet Beut dhe Sahat Kulla gjenden në pjesën perëndimore të qytetit të vjetër. Hamami është ndërtuar në shekullin XV, përkatësisht në vitin 1498. Nuk dihet se deri në cilin vit është përdorur si hamam, por dihet se hamami nuk ka kryer funksionin e tij që nga mesi i shek. XIX kur mbi hapësirën e ngrohtë të Hamamit është ndërtuar Sahat Kulla. Sahat Kulla fillimisht ishte e ndërtuar me dru, kurse në shekullin e XIX në gjendjen e tanishme, ndërtuar me gurë dhe tulla e ndërtoi Eshref Pashë Rrotulli. Më 1912 nga Sahat Kulla u morën ora dhe kambana, dhe sot e asaj dite ato ende mungojnë. Deri në vitin 1970 Hamami i Shemsedin Ahmet Beut dhe Sahat Kulla përdoreshin nga banorët e afërt si depo, ahër, e vend mbeturinash, duke e dëmtuar në masë të madhe objektin. Pas vitit 1970 fillojnë punimet për mbrojtjen e kësaj vlere të historisë, në vitin 1972 bëhet dhe eksproprijimi i parcelave, ndërsa në vitin 1975 hapet objekti me një destinim të ri, pra bëhet shndërrimi i hamamit në Muze Arkeologjik të Rajonit të Prizrenit. Muzeu trajton materialin arkeologjik nga lokalitete arkeologjike të Rajonit të Prizrenit, gjegjësisht nga komuna e Prizrenit, Dragashit, Rahovecit, Malishevës dhe Suharekës. Materiali i ekspozuar prezanton një periudhë të gjerë kohore të artefakteve, që nga Neoliti, Eneoliti, Periudha e Bronzit, Periudha e hekurit, Periudha Antike e Romake, Mesjeta dhe Periudha Osmane. Në vitin 2008 janë zhvilluar punimet në restaurimin e brendshëm të objektit nga MKRS-ja, ndërsa në vitet 2014/15 me financimin e Ambasadës Amerikane në Kosovë është bërë restaurimi i jashtëm i Muzeut, kulmi, si dhe i ambienteve përcjellëse (oborrit, zyrave, nyjeve sanitare etj).
Lokaliteti arkeologjik i cili tashmë është integruar në sheshin e lidhjes në Prizren, përfshinë dy shtresa kulturore: rrënoja muresh nga pazari i bylmetit në periudhën Osmane i cili ka ekzistuar deri në gjysmën e shekullit XX, dhe nën të, struktura të një vile romake që besohet të datojnë që nga shekulli III-IV. Përveç konservimit dhe prezantimit para publikut, është rigjeneruar dhe integruar edhe hapësira përreth. Përmes integrimit të pjerrinave dhe materialeve adekuate, qasja në lokalitet mundësohet për të gjitha grupet e komunitetit, duke u bërë kështu atraksioni më i ri në Sheshin e Lidhjen pranë rrjedhës së Lumbardhit.
Ndërtesa gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit, në lagjen e vjetër të ashtuquajtur Qafa e Kishës, e rrethuar me ndërtesa të banimit individual. Ndërtesa është pjesë e trashëgimisë së traditës së lashtë mikpritëse prizrenase pëgjatë shekujve. Në vazhdimësi të traditës hotelerike të hanëve dhe hoteleve të periudhës Osmane, sikurse Hotel “Stambolli” dhe “Selaniku”, në fillim të shek XX, resepektivisht gjatë viteve 1912 janë ndërtuar dy hotele, “Kruna” dhe Hotel “Shumadija”. Në këtë hotel është hapur edhe kinemaja e parë e madhe e qytetit. Afërsia me kompleksin e kishës Katolike dhe me rrugën Bujtinat, ku gjendeshin hanet e ndërtuar gjatë shek. XIX, e bënë pjesë të ansamblit të objekteve hotelierike dhe shoqërore. Pas periudhës së Luftës së Dytë Botërore, ndërtesa vazhdon të shfrytëzohet si kinema, kurse funksioni i hotelit shuhet. Krahas kinemasë, ka shërbyer edhe si hapësirë ndihmëse për plotësim të nevojave të Shkollës së Mesme të Muzikës, dhe klubeve sportive “Metohija” dhe më pas “Liria”. Në vitin 2016, kjo ndërtesë i është dhënë në posedim Komunitetit Hebraik të Kosovës. Aktualisht (2023) janë duke u zhvilluar punimet restauruese dhe konsoliduese në ndertesë.
Në Zonën Historike të Prizrenit, në afërsi të Xhamisë së Sinan Pashës, gjendet kroi i “Shatërvanit”. Supozohet se është ndërtuar në shek. XVII (pas ndërtimit të xhamisë së Sinan Pashës). Baza e kroit është në formë katrore me gur të latuar nga mermeri me ngjyrë të përhimtë, pjesa e sipërme ka formën e tetëkëndëshit. Pipëzat e ujit gjenden në katër anët e kroit në lartësi prej 1 m. Pjesa e sipërme është në formë të tetëkëndëshit, e zbukuruar me ornamente gjeometrike. Guacat për përcjelljen e ujit janë prej betoni në formë harkore të rrethuar me gurë të latuar. Uji prej guacave rrjedh në kanale. Kroi Shatërvan vjen nga fjala persiane: ”Krua me shumë rrjedha”. Gjendet në zemër të qendrës së Qytetit të Prizrenit dhe supozohet të jetë më i vjetri në qytet. Pasi gjatë periudhës osmane ka pësuar ndryshime, si rrjedhojë edhe koha e ndërtimit nuk dihet.
Ndërtesa e Beledies – Komunës është ndërtuar në lagjen Tabakhane në shekullin XIX-të dhe ka shërbyer si Komunë për autoritetet Osmane në Prizren. Gjendet në kufirin perëndimor të Zonës Historike të Prizrenit, në bregun verior të Lumbardhit. Karakterizohet me trajtim të pasur të fasadave me dekorime të plastikës murale me elemente të stilit Barok. Fasada ballore, ajo nga rruga mbi derën hyrëse e ka ballkonin e rrethuar me gardh të hekurt. Enterieri karakterizohet me elemente të drugdhendjes, në shtyllat e punuara, parmakët e shkallëve dhe tavanet. Vlen të përmendet tavani në dhomën kryesore të katit, i punuar me drugdhendje dhe i dekoruar me piktura murale me motive florale. Në anën veriore të ndërtesës gjatë shekullit XIX rridhte përroi dhe pranë tij ishte ndërtuar kroi i gurit “Beledije”. Me rastin e ndërtimit të aksit rrugor ky krua është dislokuar në sheshin e Dëshmorëve. Në vitet 2010/2011 me donacione nga Bashkimi Evropian Zyra në Kosovë, bëhet restaurimi i tërësishëm i objektit me ç’rast objekti shndërrohet në Qendër e parë Regjionale për Trashëgimi Kulturore në Ballkan. Krahas qendrës së trajnimeve, në këtë ndërtesë gjendet edhe Zyra Turistike e Informimit për qytetin e Prizrenit. Ndërtesa e Beledies paraqet një shembull unik të një ndërtese publike, administrative të ndërtuar gjatë shek. XIX dhe si e tillë ka vlerë të lartë historike, artistike dhe shoqërore.
Njëra nga monumentet e qytetit të Prizrenit që ka mbijetuar rrethanave të kohës është edhe ndërtesa publike nga fundi i shek. XIX që ka shërbyer për qëllime të ndryshme gjatë kohës. Në kohën e Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore ndërtesa është shfrytëzuar si hotel. Më pas në kohën mes dy Luftërave Botërore pjesa e përdheses është shfrytëzuar për shfaqjen e filmave derisa kati i parë vazhdonte të shfrytëzohej si hotel. Duket se shfrytëzimi i kësaj godine si kinema ka qenë deri në vitet 50 të shek. XX kur ndërtohet kinemaja e parë e mirëfilltë "Lumëbardhi" në bërthamën e vjetër të qytetit. Arkitektura popullore tradicionale me elemente Neoklasike - Secesion në fasadën jugore. Me gjithë kushtet e rënduara të dëmtimit të vazhdueshëm për shkak të vjetërsisë së monumentit, ende vazhdon të jetë në funsksion të aktiviteteve të filmit, artit e kulturës në qytetine e Prizrenit.
Në gjuhën arabe “Marash” d.m.th. vend freskimi. Ky kompleks është i pasur me burimet nëntokësore të ujërave, dhe gurgullimat e ujërave të Lumbardhit. Në kuadër të Kompleksit përveç bukurive natyrore dhe ajrit të pastër gjendet Lisi (Platanus) i vjetër mbi 450 vjet. Ky kompleks është i pasur me trashëgimi arkitektonike që datojnë nga periudha të ndryshme. Në pjesën lindore të saj gjendet Xhamia e Maksut Pashës e cila daton nga shek. XVII, tyrbeja e Haxhize-babës, mulliri i Shotmanit dhe i Sheh-Zades, gjashtë krojet “Topokli” dhe objektet e vjetra të banimi të shprehura në varg që dominojnë në këtë kompleks. Pas vërshimit të ujërave që e goditën Prizrenin më 18 Nëntor 1979, një pjesë e objekteve të banimit që kanë qenë buzë lumit janë shkatërruar.
SHKA “Agimi” është njëra prej shoqatave më të vjetra kulturore e artistike në qytetin e Prizrenit. E themeluar në vitin 1944 , shoqata Agimi mblodhi në gjirin e saj artistët më në zë të qytetit duke mbajtur gjallë një traditë sa të vjetër, aq të kohës për qytetin e Prizrenit. Artisti e profesori i folkolorit shqiptar, Anton Cetta, ishte udhëheqësi i parë i saj. Pas tij, shumë figura të tjera të shquara e udhëhoqen me sukses këtë shoqatë me vlera sikurse Petrit Nushi, Dashnor Xërxa, Fetah Aqifi, Festim Bytyqi dhe Xheladin Kastrati.
Gjatë viteve, kjo shoqatë mori pjesë në shumë festivale në ish-Jugosllavi si dhe kudo në botë duke prezantuar vlerat artistike dhe qytetare të Prizrenit. Çmimet, mirënjohjet dhe shumë vlerësime për SHKA “Agimi” ndër vite janë mirënjohje për një punë kolosale në përfaqësimin sa më të mirë të kulturës së Prizrenit dhe të Kosovës.
Ndërtesa e SHKA Agimi, si monument i rëndësishëm i trashëgimisë tonë kultutore, në vitin 1980 kaloi nga objekti i vjetër. Me ndihmën e disa afaristëve, objekti u rikthye në gjendje funksionale. Seksione e shumta të SHKA Agimi ishin: Kori i përzier; orkestra popullore me këngëtarë; ansambli folklorik; grupi letrar dhe recitues; grupi i pikturës dhe fotove artistike, grupi i muzikës dhe drama.
Objekti i Muzeut të Elektroekonomisë së Kosovës apo Hidroelektrana “Prizrenasja” gjendet në ambientin piktoresk të Grykës së Lumbardhit, 2.5 km larg Prizrenit. Është ndërtuar në vitin 1926-28 me kontributin e qytetarëve dhe kredive bankare. Ndërtesa është projektuar dhe ndërtuar nga një kompani austriake nga Vjena. Objekti ka pasur elementet moderne të asaj kohe: turbinat e ujit, pjesën për pastrimin e ujit nga mbeturinat, kanalin, pajisjet për përcjelljen e ujit deri në turbinë dhe gjeneratorin me fuqi 160 KW. Për shkak të kërkesës së madhe të energjisë elektrike në vitin 1936 është lëshuar në qarkullim gjeneratori i dytë me kapacitet të njëjtë. Muzeu ka funksionuar deri në mes të viteve të 80’ta të shekullit të kaluar. Në vitin 1979 kjo ndërtesë e rëndësishme për historinë industriale të qytetit është shndërruar në Muze të Energjisë Elektrike të Kosovës. Pas një periudhe të gjatë të mungesës së mirëmbajtjes, në vitin 2011 me një donacion të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është hartuar projekti i restaurimit nga QRTK Prizren dhe CHwB gjersa punët për restaurimin e janë bërë në vitin 2012.
Shtëpia e Shehzades i ka takuar Musa Shehzades (1870 - 1945) dhe gjendet në pjesën rrafshinore të qytetit në rrugën e “Sarajit të Vjetër” dhe është ndërtuar në fund të shek. XVIII. Në shek. XIX është bërë renovimi i rrënjësishëm sidomos në enterier, ndërsa në shek. XX janë bërë ndërhyrje në hajatin që gjendet në pjesën veriore të objektit si dhe në kat është mbyllur qyshku (doksati). Është objekt banimi i tipit rrafshinor, i ngritur në kate. I takon objekteve jo simetrike. Objekti është i pasur me elemente etnografike në enterier. Vlen të theksohen oxhaqet e përpunuara që gjenden një në përdhese dhe dy në kate. Edhe drugdhendja është e pasur sidomos përpunimi i tavaneve (“Xhyl-tavan”), dollapëve, musëndrave etj. Në fasadën kryesore që gjendet në anën lindore janë punuar timpanore prej druri që janë karakteristike edhe për disa shtëpi tjera të qytetit të Prizrenit. Pas viteve ‘80 të shek. XX objekti nuk shfrytëzohet për banim por është shfrytëzuar si depo e materialit elektrik. Në vitin 1999 nga ana e pronarit bëhet ndërtimi i kulmit. Gjatë vitit 2013 objekti është restauruar, dhe planifikohet të shndërrohet në Muze Etnografik.
Shtëpia e Familjes Kirjatani gjendet në Zonën Historike të Prizrenit dhe është ndërtuar në fillim të shek. XIX. Është shtëpi qytetare me karakteristika vendore, e formësuar në dy kate dhe bodrum. E projektuar si shtëpi me dy etazha, kati i parë i së cilës do të shtrihej në tërë sipërfaqen e përdheses, objekti nuk është përfunduar për arsye ekonomike, duke e lënë në gjysmë katin e parë dhe duke gjetur një zgjidhje, e cila mbulon dy anët e mbetura të përdhesës me kulm dy ujor. Në këtë mënyrë kjo shtëpi rezulton me një tipologji më të veçantë në krahasim me objektet tjera të banimit të ndërtuar gjatë shek. XIX. Në përdhesë gjendet hajati në mes, i cili shërben edhe si hapësirë hyrëse. Elementet karakteristike të enterierit si dritaret, tavanet, dollapët janë nga druri të përpunuara me shumë mjeshtri. Bie në sy përpunimi i tavaneve prej druri me dekorime gjeometrike. Si elemente të rëndësishme kulturore janë pasqyrat e sjellura nga Turqia nga njëri prej pronarëve, i cili me profesion ka qenë berber. Në oborr, në pjesën lindore gjendet mutfaku që daton nga periudha e ndërtimit të shtëpisë. Në vitin 1970 është ndërtuar një aneks në anën veri-perëndimore ku është vendosur kuzhina dhe nyja sanitare. Në vitin 2011 në kuadër të programit Intervenimet Emergjente të financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është bërë restaurimi i kulmit. Me formën karakteristike dhe integritetin e ruajtur të ndërtesës me oborr, kjo shtëpi paraqet një objekt banimi me vlerë të lartë historike dhe artistike.
Kalaja e Prizrenit gjendet në anën lindore të qytetit të Prizrenit e vendosur në një gur masiv shkëmbor. Kalaja ka muret të përforcuara me kullat, kazamatet, depot si dhe një varg objektesh të tjera. Në aspektin ndërtimor ndahet në tri komplekse të veçanta që njihen si Qyteti i Epërm, Qyteti i Poshtëm dhe Qyteti Jugor. Ndërsa në aspektin e fortifikimit ndër shekuj, ajo u përket periudhave të ndryshme si periudha antike, periudha e sundimit bizantin, ajo mesjetare dhe periudha e sundimit të Perandorisë Osmane. Gërmimet e para arkeologjike kanë filluar në vitin 1969 për të vazhduar sërish më 2004, 2009-2018. Kalaja e Prizrenit është njëra ndër asetet më të vizituara dhe më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës. E vendosur në një gurë masiv shkëmbor, me pozitë të veçantë ajo paraqet një kurorë të qytetit të Prizrenit. Rendësinë këtij monumenti ia rrisin edhe më shumë 7 depozitimet kulturore mjaft intensive që kapin një gamë kohore 3500 vjeçare dhe që mundëson studimin e shumë aspekteve kronologjike, kulturore , ekonomike etj. Kalaja e Prizrenit është shumë e ngjashme me kalanë e Shkodrës, Krujës etj. Aktualisht kalaja është shndërruar nga një fortifikatë e veçantë në një pikë të jashtëzakonshme të turizmit kulturor. Kalaja e Prizrenit gjendet mbi qytetin në tarracën e lartë lumore, që dominon mbi tërë grykën e Lumbardhit dhe fushën e Prizrenit, në një sipërfaqe prej 15776 metra katrorë. Koha e saktë e ndërtimit të Kalasë nuk është e njohur, por supozohet se ajo daton që nga shek.VI, ndërsa në periudha të ndryshme kohore është shfrytëzuar si mjedis banimi, si dhe për qëllime ushtarake. Bazamenti i Kalasë përmban një rrjet tunelesh, njëri prej të cilit pas vitit 1938 u përdor si rezervuar uji, si pjesë e sistemit hidro-elektrik dhe atij të furnizimit me ujë të Prizrenit.
Copyright © 2024 eduprizrenin.com - All Rights Reserved. Privacy Policy Terms & Conditions